Kapet kanabis, por jo trafikantët, asgjësohen mijëra rrënjë bimë narkotike në Shkodër, Malësi të Madhe dhe Vaun e Dejës

Në Shkodër vijon operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”.
Gjatë kontrolleve janë zbuluar dhe asgjësuar gjithsej rreth 3100 bimë narkotike dhe janë proceduar penalisht për shpërdorim të detyrës, dy kryetarë fshatrash dhe një roje mjedisi.
Kontrollet janë zhvilluar në zonat malore të njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Ana e Malit ku janë asgjësuar mbi 900 bimë kanabis, ndërsa është vënë në ndjekje penale kryetari i fshatit Oblikë.
E njëjta situatë edhe në zonat e thella të Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës, ku janë asgjësuar mbi dy mijë bimë narkotike.
Kultivimi i kanabisit është një proces që kërkon kohë, punëtorë, paisje të ndryshme dhe angazhim deri në mbledhjen e lëndës narkotike për ta trafikuar.
Por në të gjitha rastet e këtyre aksioneve, policia e Shkodrës nuk ka kapur asnjë person të përfshirë direkt në veprimtarinë kriminale, por vetëm krerët e fshatrave apo rojet e mjedisit./vizionplus.tv