Kapet me armë zjarri në makinë, arrestohet 20-vjeçari në Bulqizë

Komisariati i Policisë Bulqizë ka përfunduar me sukses operacionin policor të koduar “Krasta”, të ndërmarrë për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi O.G., 20 vjeç, banues në fshatin Peshk, Njësia Administrative Martanesh, pasi gjatë një kontrolli në automjetin tip “Benz” (kamionçinë), që ai drejtonte në aksin rrugor Krastë – Bulqizë, Policia gjeti të fshehur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava” me një krehër që përmbante 10 fishekë luftarakë.
Arma, municioni dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Bulqizës thekson se do të vijojë kontrollet intensive për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që qarkullojnë të armatosur, duke rrezikuar sigurinë publike.
/vizionplus.tv