Tërhiqte nga flokët vajzën e tij të mitur në mes të Korçës, nis procedimi penal ndaj 33-vjeçarit holandez

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka reaguar menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale të disa pamjeve shqetësuese, ku dy shtetas (burrë dhe grua) shfaqen në rrugë me një vajzë të mitur. Në video dallohet qartë momenti kur burri e kap dhe e tërheq për flokësh vajzën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë ndërhynë menjëherë, duke kryer veprimet procedurale dhe duke bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e personave të përfshirë. Nga deklarimet e marra në prani të oficerëve të policisë gjyqësore, rezultoi se personi që e kishte kapur vajzën për flokësh ishte babai i saj, shtetasi M. U., 33 vjeç, me shtetësi holandeze.
Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ku ndaj tij nisi procedim penal për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
/vizionplus.tv