E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me lëndë narkotike në Kakavijë, arrestohet drejtuesi i kamionit

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi finalizimin e operacionit policor të koduar “Risku” në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ku u parandalua dhe u godit një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe mbi bazën e analizës së riskut dhe informacioneve policore, u kalua për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë një kamion në dalje të territorit, që drejtohej nga shtetasi E. Q.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, shërbimet e Policisë zbuluan të fshehura në një hapësirë të krijuar posaçërisht në dyshemenë e kamionit, poshtë shtresës së saj, rreth 166 pako me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, me peshë totale rreth 350 kilogramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin E. Q., 33 vjeç, banues në Tiranë, në cilësinë e drejtuesit të mjetit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia prej rreth 350 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, si dhe kamioni ku u gjet droga.

Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera vendore të policisë dhe nën drejtimin e Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

/gj.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›