E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Shkolla “Mehmet Xhaferi” në Xarrë me muze etnografik “Gjurmët e mia”

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndau sot lajmin për krijimin e një muzeu etnografik në shkollën 9-vjeçare “Mehmet Xhaferi” në Xarrë të Konispolit, si një nismë që ndërthur edukimin me trashëgiminë kulturore dhe identitetin lokal.

Sipas Kumbaros, nxënësit, mësuesit dhe komuniteti pranë shkollës “Mehmet Xhaferi” në Xarrë, kanë krijuar muzeun etnografik të pagëzuar me emrin “Gjurmët e mia”, me mbështetjen e Bashkisë Konispol.

Ministrja theksoi se iniciativa është një shembull i përkushtimit për ta kthyer shkollën në një hapësirë që jo vetëm edukon, por edhe frymëzon përmes artit, zejeve dhe historisë lokale.

Sipas saj, projekte të tilla dëshmojnë se edhe në qytete të vogla, përmes angazhimit të komunitetit, mund të ndërtohen modele të qëndrueshme që promovojnë vlerat kulturore dhe qytetare.

Muzeu etnografik përmbledh objekte dhe elementë të trashëgimisë së zonës, duke i dhënë nxënësve mundësinë të njohin më nga afër historinë dhe traditat vendase, si dhe të forcojnë lidhjen me identitetin e tyre.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›