E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapet në Borsh Moisi Habilaj, i dënuar në Itali me mbi 12 vjet burg për trafik droge

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Një person i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore është arrestuar në Borsh në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Policia bëri të ditur se është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Sipas policisë, Habilaj u lokalizua në një lokal në Borsh, pas një pune intensive hetimore dhe operacionale, të mbështetur edhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit.

Ai është dënuar nga Gjykata e Katanias, në Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar më 26 dhjetor 2018 nga Gjykata për Krime të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa shtetasi italian S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›