Kapri: Projektligjet e qeverisë minojnë integrimin dhe pushtetin e Kuvendit

Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë fjalës së tij në Kuvend, kritikoi projektligjet e qeverisë, duke i cilësuar si shkelje të parimeve të integrimit dhe të kontrollit parlamentar.
Kapri u shpreh se projektligji për portet, parashikon që vetëm Kryeministri të ketë të drejtën për të dhënë portet turistike, një praktikë që sipas tij nuk ekziston në asnjë vend të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se ligjet po miratohen me “porosi” dhe nënshkrime deputetësh pa konsultime publike, duke tejkaluar numrin e ligjeve që duhet të përafronin Shqipërinë me standardet e BE-së.
“Kryeministri vendos se kush merr koncesion, kush bëhet kryetar bashkie, kush do drejtojë Gjykatën Kushtetuese dhe madje kërkon nga Gjykata e Lartë që të lirojë të akuzuarit për korrupsion në paraburgim”, tha Kapri.
Ai shtoi se qeveria pretendon se opozita është kundër integrimit, por sipas tij, mungesa e transparencës dhe centralizimi i vendimeve në duart e Kryeministrit po minon procesin e integrimit në BE. Kapri kritikoi gjithashtu deklaratat e qeverisë për Bashkimin me Beogradin, duke e cilësuar si një kërcënim për orientimin pro-perëndimor të Shqipërisë.
“Ju keni të gjitha votat në Parlament, shumicë të cilësuar, dhe përgjegjësia për dështimin e integrimit do të jetë vetëm e juaja”, tha Kapri.
/rtsh.al/