Kapri interpelancë me ministrin Hoxha: Kur do të shfuqizohet ligji për investimet strategjike

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri zhvilloi sot një interpelancë në seancën plenare të Kuvendit me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ku kërkoi sqarime lidhur me ligjin për investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe procesin e dixhitalizimit të pronave.
Gjatë fjalës së tij, Kapri ngriti shqetësime mbi angazhimet që, sipas tij, qeveria i ka dhënë Komisionit Evropian për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike brenda këtij viti.
“Ministri i ka dhënë garancinë Komisionit Evropian që ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet brenda këtij viti. A mund të na thoni kur do të vijë kërkesa për shfuqizimin e këtij ligji? Pse nuk e sillni?”, u shpreh Kapri në Kuvend.
Deputeti i Partisë Mundësia kërkoi gjithashtu sqarime edhe për ligjin mbi zonat e mbrojtura, duke pyetur qeverinë mbi hapat konkretë që do të ndërmerren lidhur me ndryshimet e paralajmëruara.
Në interpelancë, Kapri ndaloi edhe te çështja e pronave dhe procesi i digjitalizimit të hartave kadastrale. Ai tha se qeveria ka raportuar pranë Komisionit Evropian se rreth 90% e kartelave të pronave janë digjitalizuar, ndërsa vetëm gjysma e hartave janë përfunduar.
“Prej disa vitesh thuhet se procesi i digjitalizimit të hartave është në nivelin 50%. Si i regjistron Hipoteka hartat me mbivendosje? A i keni bërë me dije Komisionit Evropian se brenda këtij viti nuk do të arrini të digjitalizoni hartat?”, deklaroi Kapri.
Ai ngriti pyetje edhe për procesin e legalizimeve, duke kërkuar informacion mbi ecurinë dhe afatet e përfundimit të tij.
/gj.m/j.p/r.e/