Kaso: KQZ të mos miratojë asnjë rezultat për diasporën, auditim të plotë të procesit

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso deklaroi sot se PD i kërkon zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kryerjen e një auditi të plotë, me ekspertë të pavarur, për të gjitha hapat e procesit të votimit të diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
Duke e cilësuar “një proces të korruptuar në palcë”, Kaso tha në një deklaratë për shtyp se “auditi të fillojë nga regjistrimi i zgjedhësve, nga prodhimi i fletës së votimit nga jashtë e të çdo hapi tjetër deri në administrimin e fletës së mbërritur dhe në daljen e rezultatit për çdo qark”.
Gjithashtu, tha Kaso, i kërkojmë KQZ, mosnxjerrjen e asnjë rezultati dhe mosmiratimin përfundimtar të asnjë tabele për diasporën derisa auditi i pavarur të dorëzojë konkluzionet e tij mbi procesin dhe të bëjë transparencë të plotë mbi votën e shqiptarëve.
“Ky proces tashmë ka rënë totalisht. Ne nuk mund të shpëtojmë, për fat të keq, fytyrën e këtij procesi i cili, me këmbënguljen e Partisë Demokratike synonte t`u jepte të drejtën e munguar shqiptarëve jashtë Shqipërisë, por që u korruptua në palcë dhe u disintegruar përpara syve të gjithë shqiptarëve, në saj të vullnetit të mbrapshtë të kësaj mazhorance”, theksoi Kaso.
Ai u shpreh se “dështimi katastrofik i këtij procesi ngado, po veçanërisht në Greqi, shpaloset përditë, me prova, para syve të qytetarëve. Pas rasteve të panumërta të denoncuara nga bashkatdhetarët tanë, të zarfeve të mbërritur bosh pa fletë votimi, të zarfeve të shpërndarë nga patronazhistë, paradoksalisht këtej numërohen shumë më shumë fletë votimi se sa zarfe të ardhura”.
Sipas tij, zarfet e mbërritur për në qarkun Durrës përmbanin vota për Gjirokastrën.
“KQZ ende sot nuk di të na thotë së sa fletë votimi ka vulosur për diasporën e sa e sa raste çudirash të tilla. Ky proces është tashmë i kompromentuar rëndë dhe jo legjitim”, tha Kaso duke shtuar se procesi reflekton edhe atë që ka ndodhur brenda vendit, nëpërmjet të njëjtit mekanizëm.
/k.s/r.e/a.f/