E Diel, 1 Nëntor 2026

Keir Starmer emëron David Lammy-n zëvendëskryeministër, pas dorëheqjes së Angela Rayner

Angela Rayner ka dhënë dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministres dhe sekretares për çështjet e Strehimit, pasi nuk ka paguar mjaftueshëm taksa për apartamentin e saj prej 800,000 paundësh në Hove, raporton BBC. 

Ajo gjithashtu ka dhënë dorëheqjen si zëvendëskryetare e Partisë Laburiste.

Largimi i saj vjen pasi këshilltari i etikës i kryeministrit, Sir Laurie Magnus, tha se Rayner kishte “vepruar me integritet”, por arriti në përfundimin se ajo kishte shkelur kodin ministror.

Ai tha se ajo kërkoi këshilla ligjore kur bleu pronën, por nuk kërkoi këshilla të mëtejshme nga ekspertët për taksat, siç u rekomandua.

Rayner pranoi se “nuk i kishte përmbushur standardet” kur bleu pronën e saj.

“Më vjen shumë keq për vendimin tim për të mos kërkuar këshilla shtesë nga specialistët për taksat, duke pasur parasysh pozicionin tim.”

Rayner tha se mori “përgjegjësinë e plotë për këtë gabim”, duke shtuar: “Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të bëja diçka tjetër përveçse të paguaja shumën e duhur”.

Pas dorëheqjes së saj, David Lammy, i cili mbante postin e sekretarit të Jashtëm, u emërua nga kryeministri Strarmer si zëvendëskryeministër, duke zëvendësuar kështu Rayner.

Yvette Cooper është emëruar sekretare e Jashtme. Steve Reed është emëruar sekretari i ri për çështjet e Strehimit.

Angela Rayner është ministrja e pestë që largohet nga qeveria e Keir Starmer./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›