“Kemi humbur gjithçka!” Shqiptari me origjinë palestineze rrëfen tragjedinë familjare në Gazë

Pasi ushtria izraelite njoftoi hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje armëpushimi dhe tërheqjen e trupave nga veriu i Gazës, mijëra palestinezë të zhvendosur kanë nisur të kthehen në këmbë drejt shtëpive të tyre, shumica të shkatërruara.
Në një rrëfim ekskluziv për emisionin “Në kohë reale” në RTSH 1, Abdullah Xhabir, një shtetas shqiptar me origjinë palestineze, ndau historinë e tij prekëse dhe humbjen e djalit në konflikt.
“Jam shtetas shqiptar, por me kombësi palestineze. Kam ardhur në Shqipëri para 31 viteve. Kur filloi lufta në Gazë ne ishim këtu, ndërsa djalin e madh e kam në Tiranë bashkë me gruan. Kemi humbur shumë njerëz të dashur. Kemi humbur shtëpitë tona, teksa qëndrojmë në çadra. Menjëherë pasi u bë marrëveshja, njerëzit dolën nga kampi, por të gjithë kanë nevojë për ndihmë”, u shpreh Abdullah Xhabir.
Ndër momentet më të rënda të jetës, Xhabir përmendi ditën kur mësoi për vdekjen e djalit të tij, Ibrahimit. Ai rrëfeu se ka humbur edhe të afërm të tjerë.
“Një ndër ditët më të vështira për mua ka qenë kur burri i motrës time po vdiste ngadalë, sepse nuk gjente ilaçe apo kur vdiq nënë Fatija. Kulmin e ditëve më të vështira që kemi kaluar është ajo ditë kur një person erdhi dhe më tha se kanë gjetur trupin e Ibrahimit. Këto kanë qenë katër ditët më të vështira. Ai doli nga shtëpia për të sjellë ilaçin dhe e humbëm komunikimin me të, ndërsa ditën e pestë erdhi lajmi. Do të qëndroj për të gjetur varrin e djalit, Ibrahimit”, tha ai.
/rtsh.al/