E Hënë, 2 Nëntor 2026

Samiti-Nënshkruhet marrëveshja e Paqes për Gazën në Egjipt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, së bashku me liderët e Katarit, Egjiptit dhe Turqisë, kanë nënshkruar deklaratën që synon të forcojë armëpushimin e sapoarritur në Gazë.

Ceremonia u zhvillua në prani të dhjetëra liderëve botërorë, të cilët u mblodhën për të mbështetur përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Presidenti Trump, i cili ka luajtur një rol qendror në ndërmjetësimin e marrëveshjes, foli përpara nënshkrimit të dokumentit, duke e cilësuar atë si një hap vendimtar për stabilitetin rajonal.

“Ky dokument do të përcaktojë rregullat, ligjet dhe shumë gjëra të tjera,” tha Trump, duke përsëritur dy herë me bindje se “marrëveshja është e qëndrueshme”.

Ai shtoi se do të mbajë një fjalim të plotë së shpejti, por shfrytëzoi momentin për të falënderuar liderët botërorë të pranishëm, të cilët, sipas tij, “dëshironin të zgjidhnin situatën në Gazë dhe të rregullonin gjithçka”.

“Njerëzit gjithmonë flisnin se Lufta e Tretë Botërore mund të fillonte në Lindjen e Mesme, por kjo nuk do të ndodhë më,” deklaroi Trump, duke shprehur optimizmin e tij për ndikimin afatgjatë të marrëveshjes.

Ai theksoi se situata në Gazë kishte arritur në një pikë ku “ishte thjesht e çmendur”, dhe kjo marrëveshje shënon një kthesë historike.

Dokumenti, i quajtur nga Shtëpia e Bardhë në një postim në X si “Plani i Paqes për Gazën për paqe në Lindjen e Mesme”, u nënshkrua nga Presidenti Trump, Presidenti egjiptian Abdel Fattah El-Sisi, Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Megjithëse përmbajtja e saktë e deklaratës nuk është bërë menjëherë e qartë, ajo besohet se përfshin detaje për zbatimin e armëpushimit, lirimin e pengjeve, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese të mbështetur nga SHBA-ja, Egjipti dhe Jordania.

Marrëveshja është faza e parë e një plani 20-pikësh të propozuar nga Trump më 29 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Netanyahut.

Forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht nga Gaza, duke lënë vendin për një Forcë të Përbashkët të Stabilizimit Ndërkombëtar (ISF), e mbështetur nga SHBA-ja, Egjipti dhe Jordania. Kjo forcë do të trajnojë policinë palestineze të re dhe do të sigurojë kufijtë për të parandaluar hyrjen e armëve, duke lejuar një rrjedhë të shpejtë të ndihmave humanitare dhe mallrave për rindërtimin e Gazës.

Hamasi, i cili e pranoi planin më 3 tetor, ka konfirmuar se marrëveshja përfshin “fundin e luftës në Gazë, tërheqjen e okupimit prej saj, hyrjen e ndihmave dhe shkëmbimin e të burgosurve”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›