Këpucë me lëkurë pitoni, qilima dhe objekte të çmuara, Meloni nxjerr në ankand dhuratat që ka marrë nga liderët botërorë, mes tyre shalli i Ramës

Në ankand pritet të shiten, ndër të tjera, këpucë prej lëkure pitoni me taka të arta, tableta, shalle, qilima dhe objekte të ndryshme të çmuara.
Më pas të ardhurat mund të shkojnë për organizata jofitimprurëse dhe për bamirësi.
Vlera e përgjithshme e dhuratave mund të arrijë deri në 800 mijë euro.
Kur dhe ku do të zhvillohet ankandi
Në fund të tetorit, sekretari i përgjithshëm i Palazzo Chigi vendosi shitjen e objekteve dhe ia besoi zyrtarisht organizimin shtëpisë së ankandeve Bertolami Fine Art në Romë. Kjo shtëpi ankandi do të marrë një komision prej 5%.
Cilat dhurata do të shiten
Ligji italian ndalon që dhuratat me vlerë mbi 300 euro të mbahen personalisht, prandaj ato ruhen në një kasafortë speciale. Lista përfundimtare e objekteve nuk është publikuar ende, por me shumë gjasë do të përputhet me regjistrin e bërë publik në maj, pas një interpelance parlamentare. Sipas atij dokumenti, bëhet fjalë për rreth 270 dhurata.
Ndër to përfshihen:
- qilima të marrë në Libi dhe vende të tjera arabe,
- një vazo e çmuar nga Vietnami,
- këpucë pitoni blu me taka ari nga stilistja saudite Norah Alhumaid,
- një statujë e presidentit argjentinas Javier Milei me sharrën e tij simbolike,
- shalli i dhuruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama,
- një set porcelani për çaj nga Viktor Orbán,
- një enë qeramike e dhuruar nga Joe Biden,
- bizhuteri, veshje tradicionale indoneziane, piktura, një set makijazhi japonez, kuti të veçanta, rripa të çmuar dhe një tablet i dhuruar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Të gjitha objektet pritet të dalin në ankand midis janarit dhe qershorit të vitit të ardhshëm, dhe kushdo që është i interesuar mund të marrë pjesë.