E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Kërcënim mafioz”- PD kërkon hetim urgjent ndaj Edi Ramës dhe Toni Gogut: Veliaj u kërcënua me 100 vite burg për Bashkinë e Tiranës

Partia Demokratike kërkon hetim urgjent për pretendimet e Erion Veliajt se është kërcënuar me 100 vite burg në këmbim të dorëzimit të Bashkisë së Tiranës.

rama veliaj gogu letra

Në një deklaratë për mediat, PD pretendon se kryeministri Edi Rama i ka dërguar në qeli ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, për t’i kërkuar Veliajt t’ia kalojë drejtimin e Bashkisë Arbër Hajdarit, në të kundërt do të përballet me akuza të reja dhe dënim deri në 100 vite burg.

Demokratët e cilësojnë këtë një shantazh mafioz dhe kërkojnë hetimin e Ramës, Gogut dhe Hajdarit.

Sipas PD-së, këto pretendime ngrenë shqetësime serioze edhe për sigurinë e Veliajt në burgun e Fierit. Në deklaratë, partia akuzon gjithashtu SPAK-un se po përdoret si instrument presioni në përplasjet brenda mazhorancës.

Deklaratë e Partisë Demokratike:

Sot mediat publikuan letrën nga burgu të Erion Veliajt, në të cilën ai shkruan se, pas transferimit në burgun e Fierit, Edi Rama i ka dërguar atij në qeli Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe i ka kërkuar të dorëzojë bashkinë te hajduti i damkosur Arbër Hajdari, ose të përballet me 100 vjet burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të ‘Flamingove’.

Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se:

Kërcënimet mafioze ndaj të burgosurit Erion Veliaj janë dëshmi e fytyrës së vërtetë prej kreu të organizatës kriminale (padrino) të Edi Ramës.

Kërcënimi mafioz i të burgosurit Erion Veliaj nga kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Xhelati, dëshmon se jeta e të burgosurit Erion Veliaj në burgun e Fierit është në rrezik tejet serioz.

Ky akt skandaloz dëshmon se SPAK-u nuk po përdoret më si kërbaç vetëm për opozitën dhe mburojë për të korruptuarit, por, më keq akoma, si instrument shantazhi i luftës brenda llojit të bandës në pushtet.

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe kërcënimin në qeli të të burgosurit Erion Veliaj dhe kërkon hetim urgjent për këtë akt kriminal të Edi Ramës, Toni Gogut, si dhe të hajdutit të damkosur Arbër Hajdari, që kërkon të marrë në rrugë antiligjore dhe antikushtetuese Bashkinë e Tiranës.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›