Kërkesa për shkarkimin e Peleshit-Gjiknuri: PD, opozitë që do vetëm zhurmë. I hapi “luftë” edhe ministres “Diella”

Deputeti i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke theksuar se opozita nuk ka vullnet të angazhohet në debat parlamentar, por kërkon vetëm të bëjë zhurmë në sallë.
Nga foltorja e Kuvendit, Gjiknuri tha se opozita e quajti provokim sjelljen në sallë të ministres ‘Diella’, në vend që të kërkonte llogari mbi buxhetin dhe koston e saj.
Ai theksoi më tej se opozita nuk duhet të krijojë zhurmë por të ketë vullnetin për t’u dhënë hapësirë edhe atyre që janë mes radhëve të saj dhe duan debat parlamentar.
“Parlamenti është baza që vendi të qeveriset, pa qeveri nuk ka qeverisje. Pse ka afate? Ka afate sepse vendi nuk mund të lihet në vacuum qeveritar. U provokuat se kryeministri foli nëpërmjet ministres “Diella”. Kryeministri në fjalën e tij përdori edhe mjete ndihmëse teknologjike, dikush do të thotë një ‘avatar’ i cili nuk është ministër. Kryeministri në dekretin e presidentit, ka thënë jam përgjegjës për ngritjen e Ministrisë të programit që në këtë rast quhet “Diella” mund të quhej “Manhatan Project”.
Kryeministri merr përgjegjësinë e një sektori qeveritar; inteligjenca artificiale. Formë moderne e komunikimit për këdo që do të dëgjojë, çfarë të keqe ka këtu? Po si ka mundësi që katandiset forca më e madhe opozitare, luftë ndaj inteligjencës artificiale, ludizmi modern e kam quajtur. Pengohet zhvillimi i teknologjisë.
Por ju mund të ngrini pyetje që kush është përgjegjës për këtë, çfarë algoritmi do përdorni, kush do të jetë ekipi, sa do të jetë kosotoja dhe buxheti. Ju bëni zhurmë në vend që të kundërshtoni dhe argumentoni me fjalë. Madje njëri nga deputetët e opozitës tha që “disa prej nesh nuk donin t’i binin me grusht tavolinës’ donim debat parlamentar. Pra, është cenuar një pakicë”, tha Gjiknuri.
/rtsh.al/