Rama: Kosova shtet i pavarur. Bashkëpunimi rajonal, e vetmja rrugë për ne që duam të bëhemi pjesë në BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Parisi ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, pavarësisht nëse Serbia apo ndonjë vend tjetër e njeh apo jo këtë realitet.
Kryeministri theksoi se qëndrimi i Tiranës është i qartë dhe i pandryshueshëm, ndërsa theksoi se përballë këtij realiteti, zgjedhja e vetme është dialogu dhe bashkëpunimi rajonal.
Ai shtoi se synimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë ndërtimi i një hapësire të përbashkët me “katër liritë themelore të Evropës”, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, për të përgatitur integrimin e plotë në BE.
“Ne kemi politika bashkëpunimi, dialogu me të gjithë në rajon. Kemi një problem të madh me Serbinë, që është Kosova. Kosova është problem, sepse për ne është një shtet në të drejtën e vet, për ne. Por për Serbinë e ndonjë vend tjetër, nuk është.
Bashkëpunimi rajonal nuk është alternativë, por e vetmja rrugë për ne që duam të bëhemi pjesë në BE. Me 4 liritë e Evropës të jenë njësoj edhe te ne”, tha ai.
/rtsh.al/