E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkimfaljet nuk mjaftojnë, Kina merr masa ndaj Mbappes, Real Madridit dhe La Ligas

Transmetuesi shtetëror kinez CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligës spanjolle, duke përmbushur kështu kërcënimin e bërë pas polemikave të shkaktuara nga një deklaratë e sulmuesit të Real Madridit, Kylian Mbappe.

Vendimi erdhi pas një reagimi të ashpër në Kinë ndaj futbollistit francez, i cili gjatë një interviste kishte përmendur si një prej memeve të tij të preferuara në internet një fotomontazh ku fytyra e tij ishte vendosur mbi trupin e ish-udhëheqësit kinez Mao Ce Dun.


Si pasojë, ndeshjet e kampionatit spanjoll nuk u përfshinë në programin e fundjavës së kaluar të CCTV-së, ndërsa përmbajtjet që lidhen me Real Madridin u larguan edhe nga aplikacioni zyrtar i transmetuesit.

Real Madridi dhe Mbappe zhduken nga platformat kineze

Masat nuk u kufizuan vetëm te televizioni shtetëror. Edhe platforma dixhitale Migu, partneri ekskluziv dixhital i La Ligës në Kinë, tërhoqi nga oferta e saj ndeshjen e Real Madridit.

Sipas raportimit të Marca-s, nga platforma u fshinë gjithashtu pamjet e mëparshme të golave dhe paraqitjeve të Mbappes, ndërsa transmetimet e ndeshjeve të tjera të kampionatit spanjoll vazhduan të ishin të disponueshme.

Polemika nisi pasi Mbappe foli për një meme ku ai paraqitej me pamjen e Mao Ce Dunit, figurës historike që themeloi Republikën Popullore të Kinës. Edhe pse sulmuesi nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e tij, fotomontazhi shkaktoi reagime të forta në vendin aziatik.

Disa kompani kineze ndërprenë menjëherë marrëveshjet e sponsorizimit me futbollistin, ndërsa televizioni shtetëror hoqi nga programacioni transmetimet e La Ligës dhe reklamat që përfshinin yllin francez.

Mbappe, La Liga dhe Real Madridi kërkojnë falje

Pas reagimeve, Mbappe kërkoi falje në tri gjuhë: frëngjisht, kinezisht dhe anglisht. Në përpjekje për të qetësuar situatën ndërhyri edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili i dërgoi një letër zyrtare Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Edhe Real Madridi iu bashkua kërkimfaljes, duke shprehur respektin e madh të klubit për Kinën.

Autoritetet dhe mediat shtetërore kineze kanë konfirmuar se i kanë pranuar letrat, por ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare nëse kërkimfaljet janë të mjaftueshme.

Për momentin, nuk dihet se kur do të rikthehen transmetimet e La Ligës në CCTV dhe në platformat përkatëse kineze. /Telegrafi/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›