Muçi dhuron spektakël në Turqi, asist dhe gol në fitoren e Trabzonsporit!

Trabzonspori ka marrë një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Gaziantepit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të kampionatit turk, me protagonist kryesor futbollistin shqiptar Ernest Muçi.
Sulmuesi kuqezi ishte vendimtar në suksesin e skuadrës së tij, duke kontribuar drejtpërdrejt në të dy golat e takimit. Muçi dha asistin për golin e parë, të shënuar nga Stefan Savić në minutën e 45+2’, duke i dhënë Trabzonsporit avantazhin përpara pushimit.
Në pjesën e dytë, shqiptari vulosi edhe vetë emrin në listën e golashënuesve. Në minutën e 61-të, Muçi realizoi golin e dytë me një goditje të bukur nga jashtë zonës, duke dyfishuar shifrat në 2-0 dhe duke konfirmuar formën e mirë që po kalon.
Paraqitja e tij ishte një tjetër sinjal pozitiv për futbollistin shqiptar, i cili po fiton rëndësi te skuadra turke. Me një asist dhe një gol në këtë përballje, Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores së Trabzonsporit.
Suksesi ndaj Gaziantep i jep skuadrës një tjetër rezultat pozitiv në kampionat, ndërsa Muçi vazhdon të tregojë se mund të bëjë diferencën me cilësitë e tij në fazën sulmuese.