E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kërkojnë 3100 euro më shumë në muaj!”, Rama: Kur gjykata “ndryshon qeverinë” me një vendim, mund të vendosë edhe për rritjen e pagave të tyre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me ruajtjen e balancës së pushteteve dhe rrezikimin e kësaj nga një vendim gjykate duke iu referuar vendimit të GJJKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, njëherësh ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belidna Balluku. Rama thotë se ky rast mund të kthehet në një precedent për rrezik real për balancat demokratike dhe raportin mes pushteteve.

Përmes një reagimi në X, Rama tha se shumë qytetarë i kanë shkruar me habi për kërkesën e gjyqtarëve për rritje me 1600 euro të pagës bazë. Por sipas tij, kërkesa është shumë më e lartë për gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm të SPAK dhe GJKKO.

 “S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen! Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh! Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj”, shkruan Rama.

Kryeministri lidh këtë situatë me vendimin e fundit GJKKO që sipas tij ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit dhe ka “ndryshuar qeverinë” me një vendim gjyqësor. Ai shtoi se nëse gjykata mund të marrë këto kompetenca, “pse të mos marrë edhe mijëra euro nga arka e shtetit për të rritur pagat e veta?”

“Si ka mundësi?! Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?! Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!” përfundon Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›