Kërtusha për ATSH-në: Deri në 2,5 milionë turistë në Durrës gjatë 2026-ës, synojmë kthimin në një destinacion gjithëvjetor

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Durrësi vijon të mbajë ritme të larta të fluksit turistik gjatë sezonit veror 2026, me pritshmëri për të arritur nga 2 deri në 2,5 milionë turistë gjatë vitit.
Përgjegjësja e sektorit të turizmit në bashkinë Durrës, Floreta Kërtusha, në një intervistë për ATSH-në, tha se sezoni turistik i këtij viti ka tejkaluar pritshmëritë dhe parashikimet, duke shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.
“Edhe ky sezon turistik veror është i suksesshëm dhe i ka tejkaluar pritshmëritë dhe parashikimet tona duke shënuar një rritje të konsiderueshme në krahasim me një vit më parë. Për këtë vit pritet ta vizitojnë qytetin tonë nga 2 deri në 2,5 milionë turistë”, tha Kërtusha.
Sipas saj, Durrësi vijon të jetë një prej destinacioneve kryesore turistike në vend, i preferuar nga vizitorë nga rajoni, Evropa dhe vende të ndryshme të botës. Ajo veçoi vijën bregdetare prej 64 kilometrash dhe trashëgiminë e pasur kulturore si dy prej avantazheve kryesore të qytetit.
“Durrësi tashmë mund të etiketohet si vitrina më atraktive në të gjithë vijën bregdetare të Adriatikut”, u shpreh Kërtusha, duke theksuar se qyteti ofron një kombinim të plazheve, strukturave akomoduese, agroturizmit dhe aktiviteteve të ndryshme turistike.
Kërtusha vuri në dukje se zhvillimi i turizmit ka ndryshuar edhe natyrën e investimeve në qytet. Nëse një dekadë më parë kërkesat ishin të përqendruara kryesisht te ndërtimi i apartamenteve, sot interesi është zhvendosur drejt infrastrukturës hoteliere.
“Kjo tregon qartë se turizmi është një sektor i sigurt për të investuar dhe gjithnjë në rritje”, tha ajo.
Fluksi turistik është reflektuar edhe në vizitat në sitet arkeologjike. Vetëm gjatë periudhës janar-korrik 2026 janë regjistruar 30 604 vizitorë në sitet arkeologjike të Durrësit.
Sipas Kërtushës, qyteti po konsolidohet jo vetëm si destinacion veror, por edhe si pikënisje për një ofertë më të larmishme turistike, që përfshin kulinarinë, kantinat e verës, turizmin e aventurës, lundrimin dhe shtigjet natyrore për ecje e çiklizëm.
Për përballimin e fluksit të sezonit veror, bashkia Durrës ka ndërmarrë një sërë masash për pastrimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e hapësirave publike dhe zonave bregdetare.
Ndërmarrja Komunale Durrës dhe Plazh ka intensifikuar pastrimin e vijës bregdetare dhe hapësirave publike, me evadim të përditshëm të leshterikut, pastrim dy herë në ditë të plazheve dhe shesheve, ndërsa mbetjet urbane tërhiqen tre herë në ditë.
Në kuadër të masave janë parashikuar gjithashtu dezinfektimi i sipërfaqes së rërës, larja dhe dezinfektimi periodik i kazanëve dhe pikave të grumbullimit të mbetjeve, shtimi i koshave dhe kazanëve, monitorimi me kamera i pikave problematike dhe kontrolli i shkarkimeve të paligjshme.
Ndërkohë, Policia Bashkiake ka intensifikuar monitorimin në zonat turistike, përfshirë aksin Ura e Dajlanit–Plepa, Plepa–Përroi i Agait, Currila, Porto-Romano, Sektorin “Rinia”, Hamallaj dhe Gjirin e Lalëzit.
Fokusi është te pastërtia, siguria publike, respektimi i rregullave në stacionet e plazhit, përdorimi i hapësirave publike, qarkullimi rrugor dhe zbatimi i rregulloreve vendore.
Përtej turizmit, Durrësi këtë verë ka pasuruar ofertën me një kalendar të gjerë aktivitetesh kulturore dhe artistike.
Gjatë qershorit dhe korrikut janë zhvilluar aktivitete njëditore dhe disaditore, festivale, ekspozita dhe koncerte, me fokus muzikën, kulturën, trashëgiminë, artin dhe aktivitetet për fëmijë.
Ndër aktivitetet e zhvilluara janë “The Festival Bridges”, Marefest, Festivali i Muzikës së Dhomës, Mbrëmjet Folklorike nga Ballkani, VALA FEST, “Stinët e Muzikës” dhe koncerti i Orkestrës së Harqeve.
Edhe gushti vijon me një program të pasur, ku përfshihen ekspozita, mbrëmje poetike, projeksione artistike, koncerte, Folk Fest, “Twinkle on Tour”, Maratona 2026, “Stinët e Muzikës”, Festa e Miqësisë, aktivitetet folklorike “Fshati N’fest”, WOFA dhe Yldiz, si dhe aktiviteti gastronomik “Taverna e Adriatikut”.
Për bashkinë Durrës, sipas Kërtushës, sfida kryesore mbetet shndërrimi i qytetit nga një destinacion kryesisht veror, në një destinacion turistik gjithëvjetor.
Ajo theksoi se potenciali i qytetit shkon përtej turizmit të detit dhe rërës, duke veçuar trashëgiminë historike dhe arkeologjike, përfshirë Amfiteatrin, Muret Rrethuese, Forumin Bizantin, Kullën Veneciane, Termat Antike Romake, Bazilikën e Arapajt, Fortifikimin e Skënderbeut në Kepin e Rodonit dhe Kalanë e Ishmit.
“Ne e kemi objektiv rivitalizimin e trashëgimisë sonë kulturore, gjë që do të sjellë impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit gjithëvjetor, i cili është synimi kryesor dhe vizioni ynë për të promovuar qytetin nëpërmjet kulturës”, tha ajo.
Në këtë drejtim, bashkia synon të nxisë turizmin natyror, sportiv, kulinar, kulturor dhe historik, duke mbështetur njëkohësisht bizneset që operojnë në sektor dhe duke nxitur krijimin e produkteve të reja turistike.
Një tjetër drejtim është zhvillimi i agroturizmit në zonat e Ishmit, Manzës dhe Rrashbullit, me promovimin e produkteve lokale si vera, rakia, ulliri dhe vaji i ullirit, mjalti, bimët kurative, si dhe produktet e detit.
“Durrësi është kryeqyteti i turizmit, por ne po punojmë që ta kthejmë atë edhe në kryeqendrën e eventeve të rëndësishme artistike, kulturore e sportive kombëtare e ndërkombëtare”, u shpreh Kërtusha.
Sipas saj, pjesëmarrja e bashkisë në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare synon promovimin e potencialeve turistike dhe gastronomike të qytetit dhe zonave përreth, ndërsa zhvillimi i kantinave të vogla familjare dhe agroturizmeve po krijon një komunitet të ri prodhuesish dhe po kontribuon në punësimin në zonat rurale.
Objektivi afatgjatë është diversifikimi i ofertës turistike dhe promovimi i Durrësit si një destinacion tërheqës e të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, duke ndërthurur detin, historinë, kulturën, natyrën, sportin, gastronominë dhe traditat lokale.
Pamje nga qyteti bregdetar i Durrësit 1 nga 5/e.i/r.e/a.f/