E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian hap dyert për shoqërinë civile, biznesin dhe median

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE), struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin, ka lëshuar një thirrje publike për aplikim për anëtarësim. KKIE fton përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile (OSHC), organizatat e biznesit, dhomat e tregtisë dhe sindikatat, si dhe median, që të bëhen pjesë e këtij forumi.

Qëllimi i këtij zgjerimi është garantimi i bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve dhe grupeve të interesit, si dhe rritja e transparencës në vendimmarrjen për çështjet evropiane.

KKIE funksionon pranë Kuvendit dhe përbëhet, në parim, nga kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komisioneve parlamentare, si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore shtetërore.

Përfaqësuesit e subjekteve të interesit të ftuara, si OSHC-të, biznesi dhe media, do të marrin pjesë në takime sipas tematikave që diskutohen (kapitujve të acquis), për një periudhë dyvjeçare.

Sekretariati Teknik i KKIE ka theksuar se në përzgjedhje do t’u jepet përparësi atyre që ofrojnë ekspertizë me vazhdimësi në veprimtarinë e tyre dhe kanë njohuri të thellë me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Evropian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›