E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale në Kosovë- BE-ja apel për certifikim të shpejtë të rezultateve nga raundi i parë

Bashkimi Evropian ka shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e tij për zhvillimin paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të zhvilluara në Kosovë.

Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i BE-së ka vlerësuar procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së gjerë të komuniteteve dhe mbulimit mediatik të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në një proces transparent dhe demokratik.

Në deklaratën e tij, zëdhënësi i BE-së u shpreh se “..për ato komuna ku kryetarët e komunave u zgjodhën në raundin e parë, ne bëjmë thirrje për certifikim dhe zbatim të shpejtë të rezultateve të zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të qeverisjes lokale. Për komunat e tjera, ku do të mbahen zgjedhjet e balotazhit për kryetar bashkie, ne bëjmë thirrje për një zhvillim po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës më 9 nëntor”, transmeton RTK.

Për komunat ku kryetarët e bashkive u zgjodhën që në raundin e parë, BE-ja ka bërë thirrje për një certifikim të shpejtë të rezultateve dhe për një tranzicion të qetë të qeverisjes lokale.

Për komunat ku do të jetë i nevojshëm një raund i dytë zgjedhjesh (balotazh) për përcaktimin e kryetarëve të bashkive, i planifikuar për t’u zhvilluar më 9 nëntor, BE-ja ka bërë thirrje që procesi të vijojë të jetë po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës.

Ndërkaq, sipas Komisionit të Zgjedhjeve në Kosovë, pjesëmarrja në votime ka rezultuar 39 për qind, nga 2.069.098 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa rreth 44 mijë votues ishin nga diaspora.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 3 komuna në raundin e parë (Skënderaj, Ferizaj dhe Hani i Elezit) dhe kryeson në 4 komuna që shkojnë në balotazh: Prizren, Kaçanik, Vushtrri dhe Mitrovicë e Jugut.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar 2 komuna (Istog dhe Lipjan) por kryeson në 6 nga 9 komuna të tjera që shkon në balotazh: Prishtinë, Pejë, Junik, Dragash, Viti dhe Obiliq.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›