Këshilli bashkiak i Elbasanit voton pro bashkimit me Cërrikun dhe Belshin

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Këshilli bashkiak i Elbasanit u dakordësua për riorganizimin administrativo-territorial, që parashikon bashkimin e Bashkisë Elbasan me Bashkitë Cërrik dhe Belsh.
Vendimi u mor në mbledhjen e këshillit bashkiak pas procesit të konsultimeve publike të zhvilluara në territor, ku u pasqyruan qëndrimet dhe propozimet e qytetarëve dhe aktorëve vendorë.
Vendimmarrja erdhi pas procesit të konsultimeve publike të zhvilluara në territor, ku u evidentuan mendimet, qëndrimet dhe propozimet e qytetarëve dhe aktorëve vendorë. Në konsultime morën pjesë 670 persona, nga të cilët 513 u shprehën pro reformës, ndërsa 67 kundër.
Gjatë dëgjesave publike u paraqitën edhe alternativa të tjera për organizimin territorial, ndërsa u argumentua se konsolidimi i bashkive mund të krijojë më shumë mundësi për investime, shërbime dhe përfitim nga fondet dhe programet e Bashkimit Europian.
Në mbledhjen e sotme, pas diskutimit të pikës, u zhvillua votimi për dhënien e mendimit mbi reformën territoriale. Nga 51 anëtarë që ka këshilli bashkiak i Elbasanit, në votim morën pjesë 36 këshilltarë. 26 votuan pro dhe 2 kundër.
Në mendimin e miratuar, këshilli bashkiak thekson se reforma duhet të garantojë vazhdimësinë dhe cilësinë e shërbimeve publike, si dhe aksesin dhe përfaqësimin e komuniteteve në territorin e riorganizuar.
/k.s/j.p/