Malaj: Përgatitja e projektbuxhetit 2027 garantohet nga eksperienca e administratës

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Buxheti i vitit 2027 po merr formë, ndërsa Ministria e Financave ka hyrë në një prej fazave më të rëndësishme të punës për përgatitjen e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm.
Ministri i Financave, Petrit Malaj e bëri të ditur këtë fakt përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ku ndau një bisedë me drejtoreshën e përgjithshme të Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, e cila prej 34 vitesh është pjesë e Ministrisë së Financave.
Në fokus të mesazhit të ministrit ishte roli i administratës profesionale në procesin e hartimit të buxhetit dhe rëndësia e përvojës së akumuluar ndër vite në institucion.
“Ministrat vijnë me drejtimin dhe përgjegjësinë e tyre politike. Por një institucion i fortë ka nevojë edhe për njerëzit që ruajnë memorien e tij, njohin çdo hallkë dhe i kanë shërbyer shtetit për vite me radhë”, deklaroi Malaj.
Sipas ministrit, përgatitja e buxhetit kërkon jo vetëm drejtim politik, por edhe ekspertizë dhe njohje të proceseve institucionale, të ndërtuara gjatë viteve.
Buxheti vjetor përbën instrumentin kryesor për planifikimin financiar të shtetit, duke përcaktuar të ardhurat, shpenzimet dhe prioritetet e financimit për vitin pasardhës. Procesi i hartimit përfshin institucionet publike dhe strukturat përgjegjëse për planifikimin dhe administrimin e financave publike.
Në videomesazhin e tij, Malaj vuri në dukje edhe kontributin e administratës së Ministrisë së Financave në vijimësinë e punës institucionale, pavarësisht ndryshimeve në drejtimin politik të institucionit.
/e.xh/j.p/r.e/