E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këshilltarët e PL në bashkinë e Tiranës: Transparencë mbi procedurat e strehimit në Kombinat

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Anëtari i Partisë së Lirisë në Këshillit bashkiak të Tiranës Artan Distafa në një deklaratë për mediet ngriti sot shqetësimin e strehimit të banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Sipas tij megjithëse kanë kaluar më shumë se 5 vite nga tërmeti ende banorët e Kombinatit janë në gjendje emergjente.

“Jo për shkak të natyrës, për shkak të mashtrimit të planifikuar nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Qindra familje janë ende pa strehë, të përjashtuar, të braktisur dhe të harruar përballë dramës së tyre”, tha Distafa.

Distafa theksoi se grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës kërkon që të publikohet lista e plotë të përfituesve të banesave në Kombinat, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

”Ne, grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kërkojmë urgjentisht transparencë mbi kriteret dhe procedurat e ndjekura; strehim të menjëhershëm për çdo familje që është ende pa çati”, tha Distafa.

“Do të kërkojmë llogari, derisa çdo banor i Kombinatit dhe të gjithë ata banorë që akoma nuk kanë banesat e premtuara, të marrin atë që i takon me të drejtë. Qytetarët nuk kërkojnë më premtime, por përgjegjësi dhe drejtësi”, u shpreh Distafa.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›