E Hënë, 2 Nëntor 2026

Goxhobelli: 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli u shpreh sot se vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti ky institucion ka nxjerrë më shumë vendime legalizimi se sa në të gjithë vitin e kaluar.

Duke iu referuar takimit të djeshëm me Kryeministrin Rama dhe përfaqësues të bashkive nga i gjithë vendi, Goxhobelli theksoi se në takim u fol hapur “për sfidat dhe hapat konkretë që po ndërmarrim për të përshpejtuar procesin e legalizimeve, regjistrimin fillestar dhe kalimin e tokës bujqësore në pronësi”.

“Do të realizojmë 25 mijë legalizime deri në dhjetor 2025”, tha Goxhobelli.

Ajo theksoi se procesi kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të fortë me bashkitë, sepse siç u shpreh ajo,  për çdo vendim të miratuar qëndron një familje që më në fund mund të ndihet e sigurt për pronën e saj. /j.p/

1 nga 5

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›