E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, 8 persona në pranga për falsifikim

Tiranë- Tetë persona kanë rënë në pranga nën akuzën e falsifikimit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Tiranës, operacioni është zhvilluar në tre qytete, Tiranë, Shijak dhe Durrës.

Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se të arrestuarit kishin falsifikuar patentat e reja, vula të institucioneve të ndryshme, leje qëndrimi për në Itali. Madje, ata kishin mundur që të bënin edhe falsifikime të targa, duke iu vënë targa mjeteve që ishin të vjedhura.

“Nga policia u ndaluan shtetasit Edmond Apostoli, Ilir Fusha, Mariglen Nikaj, Piro Kosta, Avni Sinameta, Menduh Koci dhe Julian Gina”- thanë burimet policore. Ata janë shoqëruar në drejtim të komisariatit dhe do të qëndrojnë në pritje të vlerësimit të masës së arrestit.

Akuza që rëndon mbi ta është ajo e falsifikimit, por do të priten të tjera hetime për të hedhur dritë rreth rrjetit të bashkëpunimit.

Operacioni sipas policisë së Tiranës është realizuar gjatë natës dhe ka përfunduar orën 03.00 të mëngjesit të sotëm.

Për kapjen e tyre është dashur një punë e gjatë hetimore dhe marrja e informacioneve në rrugë operative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›