E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Klipi nostalgjik”/ Rrugëtimi ndër vite i Festivalit të Pranverës, kujtohen protagonistët e dy epokave muzikore

Në edicionin e Festivalit të Pranverës, organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), është krijuar një hapësirë e veçantë kushtuar historikut dhe nostalgjisë së këtij eventi. Përmes një materiali arkivor, u soll në vëmendje rrugëtimi i këtij festivali përgjatë dy periudhave të ndryshme, të cilat kanë mbetur të gdhendura në memorien e spektatorëve ndër vite.

Prezantimi i këtij momenti u bë nga moderatorja Bleona Qerreti, e cila ftoi të pranishmit të ndiqnin një kolazh të përbërë nga video të shkurtra me protagonistët e edicioneve të kaluara. Gjatë fjalës së saj, Qerreti bëri një analizë të shkurtër të kontekstit social në të cilin është zhvilluar ky aktivitet muzikor në dy kohë të ndryshme.

“Përpara se të futej në një farë gjumi letargjik ky festival pati dy faza: 1 kur gjithshka kontrollohej nga lart dhe më pas në një kohë ku çdo gjë ishte e mundur, por nuk vlente asnjë rregull”, deklaroi Qerreti nga skena.

Materiali audioviziv e nisi rikthimin në kohë me fjalët hapëse të moderatorëve të festivaleve përpara viteve ’90: “Të dashur spektatorë dhe telespektatorë drejtpërdrejt nga skena e TOB fillojmë festivalin “Kur vjen pranvera“”.

Kjo pjesë e kolazhit solli në ekran disa prej zërave më të njohur të muzikës së lehtë shqiptare të asaj periudhe, duke përfshirë emra si Irma Libohova, Bashkim Alibali, Myferete Laze, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku, Afërdita Zonja, Frederik Ndoci, Anita Bitri, Redon Makashi dhe Bledar Sejko.

Më pas, rrugëtimi vizual vijoi me epokën e pas viteve ’90, duke pasqyruar ndryshimet në rryma dhe performanca përmes pamjeve të artistëve si Aurela Gaçe, Aleksandër Gjoka, Sherif Merdani, Dashnor Diko dhe Klajdi Musabelliu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›