Klisman Cake largohet nga Shkëndija drejt Rusisë

TIRANË, 10 janar /ATSH/ KF Shkëndija ka njoftuar largimin e mesfushorit Klisman Cake, një nga figurat kyçe të skuadrës në periudhën e fundit, duke e vlerësuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë katër viteve dhe pesë sezonesh jo të plota me kuqezinjtë.
Cake iu bashkua Shkëndijës në janar 2022 dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi 133 paraqitje zyrtare (106 në kampionat, 3 në Kupë dhe 24 në arenën evropiane), duke shënuar 12 gola dhe duke kontribuar në fitimin e titullit kampion dhe suksesin historik evropian të klubit.
Lojtari u shqua edhe për besimin dhe korrektësinë, pasi pas titullit kampion të verës së kaluar kishte mundësinë të largohej si lojtar i lirë, por zgjodhi të rinovonte për një sezon tjetër, duke ndihmuar Shkëndijën të arrinte kualifikimin historik në fazën kryesore të UEFA Conference League.
KF Shkëndija falënderon Klisman Caken për kontributin e tij dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës te Akhmat Grozny dhe më tej, duke e konsideruar pjesë të pandashme të gjeneratës historike të klubit.
/gj.m/a.f/