Koçiu: Akti Normativ forcon institucionet e sigurisë, 1.3 miliardë lekë për mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës

Në seancën plenare të Kuvendit, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka prezantuar rëndësinë e Aktit Normativ që parashikon mbështetje financiare për institucionet e sigurisë, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për forcimin e strukturave të varësisë së ministrisë.
“Akti Normativ, që diskutojmë sot, është një akt i rëndësishëm dhe në kuadër të fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me hapësirën fiskale që krijon ky akt, do të arrijmë të bëjmë të mundur të kemi më shumë mbështetje për të gjithë institucionet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke nisur nga Policia e Shtetit, te Garda e Republikës dhe te të gjithë institucionet e varësisë,” u shpreh Koçiu.
Ministrja bëri të ditur se Policia e Shtetit do të përfitojë 1.3 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për shpërblimin e efektivëve për punën e tyre gjatë sezonit veror, si dhe për rritjen profesionale nëpërmjet Akademisë së Sigurisë.
“Policia e Shtetit bën të mundur që nëpërmjet 1.3 miliardë lekëve të vendosura në dispozicion me këtë akt normativ të vijojë të mbështesë efektivët për punën e jashtëzakonshme të kryer gjatë sezonit veror, një sezon i cili përgjatë vitit 2025 u mbyll me zero akte kriminale, kjo falë punës dhe përkushtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit,” tha ajo.
Koçiu theksoi gjithashtu se edhe Garda e Republikës do të përfitojë mbështetje të shtuar, duke u mundësuar vijimin e projekteve të nisura. “Ky Akt Normativ bën të mundur që të vijohet akoma më shumë me të gjithë punët e mira që kemi nisur,” shtoi ministrja.
/rtsh.al/