“Trialog”, Balliu në RTSH: Vendi është i destabilizuar, aksioni opozitar ndalet vetëm me qeveri teknike

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit, ku u diskutua mbi protestën e fundit të opozitës dhe skenarët e ardhshëm politikë.
Në panelin e diskutimit, ku ishin të pranishëm edhe analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, Balliu e cilësoi tubimin para Kryeministrisë si një sukses që “tejkaloi pritshmëritë e publikut”.
Për deputetin demokrat, suksesi përfundimtar i aksionit opozitar lidhet vetëm me një rezultat: largimin e kabinetit aktual dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Kemi një qeveri që cenon drejtësinë. Kryeqyteti drejtohet sot nga burgu, Kushtetuesja nuk është rehat nga presioni politik, ndërsa parlamenti është i paralizuar pasi nuk lejohen komisionet hetimore,” u shpreh Balliu, duke shtuar se praktikisht vendi ndodhet në kushte destabilizimi.
Balliu paralajmëroi se PD ka një plan konkret dhe se çdo presion nga qeveria vetëm sa do të nxisë përshkallëzimin e aksionit. Ai ngriti shqetësimin për trajtimin e demokratëve, të cilët sipas tij po penalizohen vetëm sepse refuzojnë sistemin e patronazhimit.
“Nuk dalin në lajme jetët e qytetarëve që marrin pjesë në protestë. Ata kanë vështirësi sepse janë demokratë dhe nuk pranojnë të jenë patronazhistë,” tha ai.
Në fund, Balliu mbrojti veprimet e deputetëve në komisariate, duke theksuar se ata kanë të drejtë ligjore të hyjnë në institucione për t’u interesuar për qytetarët e ndaluar padrejtësisht.
/rtsh.al/