Koçiu: Garda ka shtuar dy truproja për Dumanin

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu hodhi poshtë lajmet se Garda e Republikës nuk ka zbatuar vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për shtimin e truprojave për Altin Dumanin.
Ministrja Koçiu tha se Garda e ka zbatuar duke shtuar dy truproja për prokurorin e SPAK.
“KLP ka marrë vendim dhe në momentin që merr vendim ka edhe një anëtar përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme në nivelin e zëvendësministrit. Jemi vënë në dijeni, kemi qenë pjesë e vendimmarrjes”, tha Koçiu.
Nga ana tjetër, Koçiu theksoi se “Garda e Republikës ka zbatuar këtë vendim duke e shtuar në organikën e saj edhe dy truproja të tjera për Dumanin në nivelin e prokurorit të SPAK”.
“Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat dhe ka miratuar shtimin e dy punonjësve”, tha ministrja.
Kërkesa u bë nga kreu i tanishëm i SPAK, Klodian Braho në kuadër të presionit në rritje ndaj Dumanit, lidhur me disa hetime të rëndësishme që mbajnë firmën e Dumanit gjatë kohës kur ai ishte drejtues i SPAK-ut. Për shkak të detyrës që mbante Altin Dumani, ishte nën ruajtje të rreptë deri në fund të mandatit të tij.
/m.m/r.e/