E Martë, 3 Nëntor 2026

Koçiu: Spitali Memorial Fier shpëton jetën e 30-vjeçares, pikë referimi i trajtimit të specializuar

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Ekipi mjekësor në Spitalin Memorial Fier, ka arritur t’i shpëtojë jetën nënës 30-vjeçare nga Roskoveci, që mbërriti në spital me simptoma të rënda neurologjike.

Lajmin e ka bërë të ditur, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila tha se “në zemër të jugut, Spitali Memorial po kthehet çdo ditë e më shumë në një pikë referimi për trajtim të specializuar dhe të aksesueshëm për të gjithë”.

“Një jetë e shpëtuar në orët e vona të natës”, pohoi Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Sipas Koçiut, një nënë 30-vjeçare nga Roskoveci mbërriti me urgjencë në Spitalin Memorial, duke shfaqur simptoma të rënda neurologjike.

“Çdo minutë ishte vendimtare. Falë reagimit të menjëhershëm të ekipit tonë dhe një ndërhyrjeje delikate, kraniotomi dekomprensive dhe biopsi, sot ajo është jashtë rrezikut për jetën”, pohoi ajo.

Ministrja Koçiu nënvizoi faktin se ky nuk është thjesht një rast suksesi për ekipin mjekësor, por një dëshmi e fuqishme se profesionalizmi, përkushtimi dhe bashkëpunimi shpëtojnë jetë.

Spitali Rajonal Memorial Fier është e para strukturë spitalore ku është pilotuar autonomia menaxheriale duke i hapur rrugë dhënies së kartës së autonomisë edhe për QSUNT dhe katër spitale rajonale, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe në Shkodër.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›