Koçiu në Njësinë Sukth të Durrësit: Banorët t’u përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim, nëse do të jetë e nevojshme

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me prefektin, kryetaren e Bashkisë së Durrësit, si dhe drejtues e përfaqësues të emergjencave civile, Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura ishin në Njësinë Sukth i ri, një zonë e prekur orët e fundit nga përmbytja.
Ajo u ka bërë apel banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.
Koçiu tha se të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbytja.
“Jemi në Vadardh në Njësinë Administrative Sukth, ku aktualisht ka filluar plani i evakuimit. Të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbytja. Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të armatosura. Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident”, u shpreh Koçiu.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të presin në banesat e tyre dhe të mos bëjnë lëvizje të pakontrolluara.
“Edhe një thirrje për të gjithë qytetarët, të presin në banesat e tyre, të mos bëjnë lëvizje të pakontrolluara dhe të mos dalin apo të lënë banesën vetë. Në çdo derë do të trokasin stafet e emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura, të cilët do t’i udhëzojnë dhe do t’i transportojnë në zona të sigurta. Ju lutem është shumë e rëndësishme në këto momente të ruajmë qetësinë!”, tha më tej Koçiu.
/rtsh.al/