E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokainë nga Brazili e Ekuadori drejt vendeve të BE, SPAK dërgon për gjykim 10 persona, trafikuan mbi 4.3 ton drogë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 10 persona të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit të shtetasve të huaj.

Sipas SPAK, hetimet kanë provuar se të pandehurit kanë trafikuar mbi 4.3 ton lëndë narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe kanë organizuar kalimin e paligjshëm nga Shqipëria në Itali të 55 shtetasve sirianë.

Për gjykim janë dërguar Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, të cilët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2020-2021, duke organizuar dërgesa të mëdha droge nga Brazili dhe Ekuadori drejt porteve kryesore në Itali dhe Holandë, si dhe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Gjermanisë.

Nga tetë episodet e dokumentuara nga hetuesit rezulton se janë trafikuar gjithsej 4,340.2 kilogramë lëndë narkotike, konkretisht:

3,635 kilogramë kokainë;

2 kilogramë heroinë;

701 kilogramë kanabis.

SPAK bën me dije se anëtarët e grupit kanë komunikuar dhe koordinuar aktivitetin kriminal përmes platformës së enkriptuar “Sky ECC”, të dhënat e së cilës janë siguruar nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Sipas përfundimeve të hetimit, Musa Gjikola, Jani Meçja, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo Çadri kanë pasur rolin e drejtuesve dhe financuesve të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve. Ndërkohë, Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata dyshohet se kanë qenë pjesëmarrës aktivë në operacionet e grupit.

Po ashtu, SPAK ka konstatuar se Sokol Masha dhe Akil Alushi kanë drejtuar aktivitetin e ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit për 55 shtetas sirianë nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë të Brazilit, Ekuadorit, Francës, Holandës, Italisë dhe Serbisë, si dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Policinë e Shtetit, Eurojust dhe Europol.

SPAK njofton se hetimet vijojnë në një procedim të veçuar penal për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal ndërkombëtar.

Njoftimi i plotë i SPAK

SPAK dërgon për gjykim 10 të pandehur për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 177 të vitit 2023, në ngarkim të 10 të pandehurve:

Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, të akuzuar për veprat penale: 

Musa Gjikola dhe Jani (alias Ilir) Meçja, për kryerjen e veprave penale:

  • “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
  • “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

Sokol Masha dhe Akil Alushi, për kryerjen e veprave penale:

  • “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 298/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”,
  • “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), për kryerjen e veprave penale:

  • “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1, dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
  • “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

Sokol Masha, për kryerjen e veprave penale:

  • “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, (njëri episod i konsumuar sipas nenit 283/a dhe tjetri mbetur në tentativë sipas nenit 283/a-22 të Kodit Penal), dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2, (22) dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
  • “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Hetimet rreth këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane dhe serbe, të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe me strukturat e hetimit me Policinë e Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurimit personal.

Nga hetimet e kryera për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar e provuar se 10 të  pandehurit: Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, në bashkëpunim me disa persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe me disa persona të paidentifikuar ende, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nga vendet e Amerikës Latine, nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe kanë ndihmuar kalimin e paligjshëm të kufirit, nga Shqipëria për në Itali të 55 shtetasve sirianë.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në kryerjen e aktiviteteve të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar, “SkyEcc”, të cilat janë administruar nga autoritetet e drejtësisë franceze, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.

Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit: Musa Gjikola, Jani (alias Ilir) Meçja, Selami Lushka, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, kanë pasur rolin e pjesëmarrësve në këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se të pandehurit, Sokol Masha dhe Akil Alushi, kanë drejtuar në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të shtetasve sirianë.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në 8 episode që i përkasin viteve 2020 dhe 2021 (sipas akuzave që iu janë atribuuar respektivisht të pandehurve), rezulton e provuar se kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazili, Ekuador) në drejtim të porteve kryesore të disa vendeve të Bashkimit Europian (Italisë, Holandës), apo nga Shqipëria për në drejtim të Greqisë dhe Gjermanisë, një sasi prej 4,340.2 kg lëndësh narkotike:

  • 3635 kg lëndë narkotike e llojit kokainë
  • 2 kg lëndë narkotike e llojit heroinë
  • 701 kg bimë narkotike e llojit kanabis sattiva

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode të trafikimit të lëndëve narkotike, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 177 të vitit 2023, numërtimin si procedimi penal me nr. 177/2 i vitit 2026, si dhe po vijojnë hetimet rreth këtij procedimi.

SPAK falenderon autoritetet e drejtësisë braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane, serbe,  Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK në këtë procedim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›