Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PD–ASHM për përsëritjen e zgjedhjeve në Vlorë

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzoi sot kërkesëpadinë e paraqitur nga koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (PD–ASHM), që kishte si objekt shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 11 majit 2025 në Qarkun e Vlorës dhe përsëritjen e tyre.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar mëngjesin e sotëm në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, me kërkesëpadinë Nr. 18, të regjistruar më 13 qershor 2025, pala paditëse, e përfaqësuar nga Franci Nuri, kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit për Ankimimet dhe Sanksionet (KAS) pranë KQZ-së, të datës 11 qershor 2025.
Padia kishte si objekt: Konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Qarkun Vlorë më 11 maj 2025; Urdhërimin për përsëritjen e zgjedhjeve në të njëjtën zonë zgjedhore.
Në proces morën pjesë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuar nga Pavlina Doçaj, si dhe Partia Socialiste e Shqipërisë si palë e tretë, e përfaqësuar nga Eridian Salianji, në mungesë.
Pas shqyrtimit të çështjes, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Iliba Bezati (relatore), Rexhep Bekteshi, Ornela Naqellari, Entela Shedula dhe Alma Kodraliu, vendosi unanimisht: Rrëzimin e padisë; Vendimi është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.
Ky vendim i hap rrugë KQZ-së të miratoi rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit për qarkun Vlorë.
/a.f//r.e/
