Zbardhen 10 raste të vjedhjeve të motoçikletave dhe motomjeteve, një i arrestuar

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses hetimet për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të biçikletave dhe motomjeteve elektrike, të ndodhura në kryeqytet gjatë periudhës janar-qershor 2025.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 1 dhe Nr. 2, nisën hetimet pas kallëzimeve të bëra nga qytetarë për vjedhje të ndodhura gjatë natës në lagje të ndryshme të Tiranës.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe analizës së pamjeve filmike të sigurisë, janë zbardhur 10 raste vjedhjeje, të kryera në muajt janar, prill, maj dhe qershor.
Si autorë të këtyre vjedhjeve janë identifikuar dy shtetas me precedentë penalë të mëparshëm për vjedhje: A. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar; F. T., i cili po procedohet në gjendje të lirë.
Policia njofton se vijojnë hetimet për të zbardhur edhe raste të tjera të mundshme të vjedhjeve ku këta dy shtetas mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/a.f//r.e/