Kolegji Zgjedhor rrëzon paditë e PD-ASHM për përsëritjen e zgjedhjeve në 4 qarqe

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzoi sot paditë e koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarqet e Lezhës, Gjirokastrës, Kukësit dhe Korçës.
Me vendime të veçanta, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor vendosi fillimisht rrëzimin e padisë së PD-ASHM ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara të 11 majit në zonën zgjedhore qarku Lezhë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë qarkun Lezhë.
Po ashtu, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzoi si të pambështetur në ligj e prova padinë e koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (PD-ASHM) për konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 11 majit në zonën zgjedhore qarku-Gjirokastër dhe rregullimin e pasojave duke shpallur përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark.
Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzoi po ashtu padinë e koalicionit PD-ASHM për konstatimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 11 majit në zonën zgjedhore Qarku-Kukës dhe rregullimin e pasojave duke shpallur përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark.
Një tjetër vendim i marrë sot nga Kolegji Zgjedhor ishte edhe rrëzimi i padisë së PD-ASHM për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit në zonën zgjedhore Qarku-Korçë dhe rregullimin e pasojave duke shpallur përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark.
Po ashtu, Kolegji Zgjedhor vendosi pushimin e çështjes së paraqitur nga Shkëlqim Shehu, kandidat për deputet i PD-ASHM në qarkun e Kukësit, për shkak të mungesës së legjitimitetit të paditësit.
/m.m/a.f/