E Martë, 3 Nëntor 2026

Tabaku: Reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe me konsensus

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit të Integrimit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot në Strasburg se “nga viti 2013, Shqipëria nuk i ka përfshirë të gjitha rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR në Kodin Zgjedhor”.

Në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Europian-Shqipëri në Strasburg, Tabaku u shpreh se “në Komisionin në Parlament po diskutohet për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse”.

“Ajo që bëmë vitin e kaluar ishte vetëm zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili u vonua për një vit për t’u zbatuar, kështu që Parlamenti thjesht zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ajo.

Të gjitha rekomandimet prioritare nga zgjedhjet e vitit 2013 e deri më sot, sipas Tabakut,  nuk janë përfshirë dhe ky është një proces që nuk duhet të fillojë në shtatorin e ardhshëm, por duhej të kishte filluar 10 vite më parë.

“Por le të vendosim që të gjitha ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe reforma zgjedhore duhet të bëhen me konsensus nga të gjitha palët politike, jo siç bëri kjo qeveri në vitin 2021”, theksoi ajo.

/m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›