Kollçaku: Nxitje e vëmendjes të NATO-s për Ballkanin Perëndimor

“NATO është aleanca më jetëgjatë dhe e suksesshme e sigurisë në këto 8 dekadat e fundit. Europa përballet sot me një mjedis sigurie ku agresioni rus në Ukrainë nuk është përjashtim, por paralajmërim i një konfrontimi të zgjatur. Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah dobësitë thelbësore që shprehen në mungesë investimesh në industrinë e mbrojtjes”, tha Kollçaku.
Në kushtet e një Europe që nuk është më në paqe, Kollçaku u shpreh se NATO ka ndryshuar kursin e saj në një mendësi lufte.
Kjo sipas tij, për vendet aleate nënkupton rritje të kapaciteteve mbrojtëse dhe zgjerim të industrisë ushtarake.
“Aleanca ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin e shtyllës europiane në NATO duke shënuar intensifikim të dialogut NATO-BE dhe marrjen e më shumë përgjegjësive për mbrojtjen nga aleatët europianë dhe Kanadaja. Rëndësi të posaçme në këtë bashkëpunim të shtuar, NATO-BE, paraqet domosdoshmëria për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj aleatëve jo anëtarë të BE-së dhe heqja e klauzolave përjashtuese”, tha Kollçaku.
Kollçaku nënvizoi faktin se Aleanca ka ridimensionuar projektet e saj, përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Duke u ndalur te prioritetet e Shqipërisë, Kollçaku theksoi se ato janë të linjëzuara me prioritetet e Aleancës. “Për të dytin vit radhazi Shqipëria ka përmbushur detyrimin e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në kufirit 2% të GDP-së, ndërsa projekton rritje progresive të buxhetit të mbrojtjes me 0.15% çdo vit, duke filluar nga ky vit deri në arritjen e objektivit 3.5% në vitin 2035”, theksoi ai.
Po ashtu, Kollçaku u ndal te rivitalizimi i industrisë ushtarake, rritja e kapaciteteve operacionale dhe kontributin në operacionet e Aleancës,
Një element i rëndësishëm, sipas tij, është edhe rritja e investimeve në infrastrukturën kritike me fokus të posaçëm Korridorin VIII, një korridor strategjik për Aleancën.
Ndër prioritetet e punës së tij, Kollçaku përmendi nxitjen e angazhimit për rritjen e vëmendjes të Aleancës për Ballkanin Perëndimor si dhe nxitjen e ndërveprimit dhe rolit të Aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon.
“Mbështetja për Kosovën, institucionet e sigurisë së saj dhe transformimi i FSK-së në forcë të armatosur deri në vitin 2028 o të jetë në qendër të punës”, tha Kollçaku, ndërsa u ndal edhe te organizimi i samitit të NATO-s në Tiranë.
/a.f/