E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Kuvendi të vijojë punën me ndarjen aktuale të komisioneve, presim vendimin e plotë të Kushtetueses

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit që lidhen me numrin e komisioneve parlamentare, duke shprehur qëndrimin se nuk sheh lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së tij dhe vendimit të shpallur.

“Nuk gjej dot asnjë lidhje mes të drejtës së Kuvendit për organizimin e punës së vet në komisione të përhershme dhe vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Balla.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla u shpreh se pret me kuriozitet vendimin e plotë të arsyetuar.

“Pres me shumë kuriozitet vendimin e plotë për të kuptuar edhe atë çështjen e “të drejtës së shprehjes”, kur është fakt se deputetët kanë votuar dhe e kanë shprehur vullnetin qartazi me votë”, shtoi Balla.

Ai nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë duhet të vijojë punën me ndarjen aktuale të komisioneve parlamentare, të cilat, sipas tij, do të duhet të rimiratohen së bashku me ndryshime të tjera.

Balla bëri të ditur se propozimet përkatëse do të depozitohen në ditët në vijim, në vijim të nismave të paralajmëruara në fillim të sesionit parlamentar.

“Megjithatë mendoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta vazhdojë punën e tij me ndarjen aktuale të Komisioneve, të cilat do duhet të rimiratohen bashkë me ndryshime të tjera që siç njoftova në fillim të sesionit do t’i depozitojmë në ditët në vijim”, theksoi Balla.

Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të Kuvendit, që lidhet me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe rritjen e numrit të komisioneve parlamentare.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Gjykata, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, vlerësoi se duhet të vendoset shfuqizimi i vendimit për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›