E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni Europian kritikon maxhorancën në progresraport: Refuzohen komisionet hetimore të kërkuara nga opozita, nuk zbatohen vendimet e Kushtetueses

Komisioni Europian ka evidentuar një sërë problematikash në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë nën dominimin e maxhorancë socialiste, duke vënë në dukje mungesën e dialogut politik, refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

kuvendi

Në progresraportin për Shqipërinë, Komisioni Europian vlerëson se Parlamenti i ushtron kompetencat e tij, përfshirë kontrollin ndaj ekzekutivit dhe përfshirjen në procesin legjislativ, me efektivitet të pjesshëm.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Komisioni Europian lidhet me faktin se Kuvendi nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër, Komisioni Europian nënvizon se paraqitja e shpeshtë e nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave, refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe politizimi i emërimeve në organet kushtetuese dhe institucionet e pavarura kanë kufizuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit ndaj qeverisë.

“Parlamenti është në gjendje t’i ushtrojë kompetencat e tij, përfshirë kontrollin mbi ekzekutivin dhe pjesëmarrjen në procesin legjislativ, në mënyrë pjesërisht efektive. Mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe e aktiviteteve të konsultimit publik, si dhe përplasjet ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës, vijuan të kufizonin efektivitetin e tij. Parlamenti dështoi gjithashtu të zbatonte disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. Miratimi me konsensus i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit përbën një zhvillim pozitiv. Megjithatë, paraqitja e shpeshtë e nismave ligjore nga Këshilli i Ministrave, rrëzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe politizimi i emërimeve në organet kushtetuese dhe institucionet e pavarura, kontribuuan në kufizimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit ndaj qeverisë”,- thuhet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›