Komisioni i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale miraton në parim projektligjin për ‘Barazinë Gjinore’, opozita e konsideron rrezik për familjen

Komisioni Parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, nën drejtimin e kryetarit Bardh Spahia, miratoi në parim Projektligjin “Për barazinë gjinore”. Për shqyrtimin e nismës ishin të pranishëm zëvendësministrja e Shëndetësisë, Denada Seferi, si dhe drejtorë e specialistë të ministrisë.
Seferi theksoi se projektligji synon një barazi reale, jo vetëm formale, duke vendosur mekanizma konkretë për zbatim dhe llogaridhënie. Ajo renditi pikat kryesore të përmirësimeve: forcimi i trajtimit të barabartë në jetën publike e private, njohja dhe vlerësimi i punës së papaguar të kujdesit, forcimi i përfaqësimit të barabartë në vendimmarrje dhe përgjegjësia ndërsektoriale.
Në cilësinë e relatores, Enriketa Jaho nënvizoi qëllimet kryesore të ligjit: sigurimin e të drejtës për barazi gjinore dhe mbrojtjen nga diskriminimi, përcaktimin e masave të përgjithshme e të veçanta për nxitjen e kësaj barazie, si dhe detyrimet e autoriteteve përgjegjëse.
Kritikat e opozitës: Rreziku për familjen
Debati u ndez nga relatori i opozitës, Zija Ismaili, i cili shprehu mosdakordësinë e thellë me propozimet e paraqitura, duke i cilësuar ndryshimet si “drastike, me pasoja të parikuperueshme mbi familjen.”
Ismaili ngriti shqetësimin se ky projektligj anulon “konceptet natyrore të nënës dhe babait,” duke i zëvendësuar ato me terma të tilla si “Prindi 1” dhe “Prindi 2,” çka sipas tij, ndikon drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve.
Pavarësisht pikëpamjeve të opozitës, pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit votuan dhe miratuan në parim projektligjin.
/rtsh.al/