Komisioni i të Drejtave të Njeriut – 30 institucione do raportojnë, mes tyre edhe RTSH

Mbledhja e parë dhe konstituimi i komisionit të ri, për të drejtat e njeriut dhe informimin publik, u zhvillua në drejtimin e kryetares Jorida Tabaku.
“Përtej bindjeve politike, bie të gjithë dakord që transparenca veç mirë bën” – u shpreh ajo.
Përtej bindjeve politike, njëzëri të dy palët, pozitë–opozitë, vunë theksin në domosdoshmërinë e transparencës dhe vënien në shërbim të qytetarëve, por edhe të zgjidhjes së problematikave në media.
“Opozita është pjesë kryesore e procesit të integrimit. Fatkeqësisht, opozita është lënë jashtë këtij procesi, por ne do të sigurohemi që në gjithë hapësirën tonë të luajmë rolin tonë si ligjvënës dhe në shërbim të atyre që na kanë votuar dhe na kanë mbështetur” – theksoi Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku.
Ndërsa deputetja e mazhorancës, njëkohësisht dhe Zv.Kryetare e komisionit, Iris Luarasi, theksoi se “qytetarët nuk janë as ‘blu’ as të ‘kuq’ dhe ata duhen respektuar, dhe nuk ka rëndësi se çfarë partie politike ne i përkasim”.
Sekretari i Komisionit të të Drejtave të Njeriut, Ardit Bido u shpreh se “Ky komision duhet të jetë sa më larg asaj që ne e quajmë politikë dite, të debatit politik dhe batutave, të debatit të lidhur me orekset partiake, sepse ky komision ndoshta është më politik, në kuptimin më të mirë të fjalës ‘politik’ – u shpreh
Ndërsa deputeti demokrat Gazment Bardhi nënvizoi se “qytetarët nuk kanë ndasi politike kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të tyre themelore. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë në mbrojtje të tyre, si një mekanizëm real që ata kanë në dorë për ta shfrytëzuar”.
Në punimet trejavore në Komisionin Parlamentar të të Drejtave të Njeriut dhe Informimit Publik pritet të raportojnë 30 institucione të pavarura, raporte këto që i përkasin vitit 2024.
Institucionet e para janë Komisioneri për të Drejtën e Informimit, por edhe ai i Mbrojtjes së të Dhënave Personale, si RTSH dhe Autoriteti i Medias Audiovizive.
/rtsh.al/