E Martë, 3 Nëntor 2026

Komiteti Monitorues Sektorial Konsultativ, Karçanaj: Kapitull i ri për Shqipërinë digjitale

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot takimi i parë i Komitetit Monitorues Sektorial Konsultativ, me praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Agjencisë së Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Drejtorisë së Financimeve dhe Kontraktimeve për fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe partnerëve të tjerë.

Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj u shpreh se ky takim është një “moment vendimtar për zbatimin e Programit Operacional “Ekonomia dhe Shoqëria Digjitale”, një hap kyç për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe garantimin e një zbatimi të koordinuar e cilësor të këtij programi strategjik”.

Sipas Karçanajt, “programi “Ekonomia dhe Shoqëria Digjitale” nuk është vetëm një instrument financiar në kuadër të IPA III, por ai përfaqëson një angazhim të qartë politik për të përshpejtuar transformimin digjital të Shqipërisë, në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”.

“Si bashkënegociatore për Kapitullin 10: Transformimi Digjital dhe Media, këtë program e shoh si vazhdimësi e investimeve të Qeverisë në fusha kyçe në pesë fushat prioritare, arsimi digjital, pajisja e 5500 mësuesve të shkollave të mesme me laptopë, për të mundësuar përdorimin e platformës SMIP dhe rritjen e transparencës në arsimin parauniversitar, shëndetësia digjitale, zhvillimi i Sistemit të Informacionit të Radiologjisë dhe Regjistrit Elektronik Shëndetësor, për një kujdes më të mirë dhe të orientuar drejt pacientit, siguria kibernetike dhe investime në softuerë për monitorimin e kërcënimeve dhe ndërtimi i një salle të re serverash për qendrën qeveritare të të dhënave”, u shpreh Karçanaj.

Drejtuesja e AKSHI-t, u ndal edhe te tri fusha të tjera të rëndësishme si administrata tatimore, integrimi me sistemet e BE-së (VIES, VIDA), shkëmbim automatik të të dhënave sipas standardeve të OECD-së dhe rritje të kapaciteteve institucionale, lidhja digjitale, investime në rrjete shumë të shpejta (VHCN) dhe implementimi i teknologjisë 5G sipas standardeve të BE-së dhe legjislacionit shqiptar, si edhe asistenca teknike, mbështetje për përgatitjen e dokumentacionit teknik, raportimin, komunikimin dhe auditimet për një zbatim të suksesshëm të programit.

Karçanaj pohoi se në rolin e Autoritetit Menaxhues, AKSHI mbetet plotësisht i angazhuar për një zbatim të suksesshëm, gjithëpërfshirës dhe transparent të programit.

Drejtuesja e AKSHI-t tha se gjatë takimit Eridana Çano (SASPAC) theksoi rolin e Komitetit në monitorimin e IPA III dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa Jenni Lundmark (Delegacioni i BE-së) nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në procesin e digjitalizimit.

“Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për Shqipërinë Digjitale, një rrugë që vendos qytetarin në qendër, rrit efikasitetin e administratës dhe e afron vendin tonë me Bashkimin Evropian”, u shpreh Karçanaj.

Nga takimi i parë i Komitetit Monitorues Sektorial Konsultativ, në prani të përfaqësuesve të Ba... 1 nga 7

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›