E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Pyllin e Sodës vihet nën kontroll, zjarrfikësit vijojnë monitorimin e zonës

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu pasditen e së dielës Pyllin e Sodës në Vlorë është vënë nën kontroll, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të mbetura.

Sipas medieve, flakët përfshinë më shumë se 5 hektarë sipërfaqe me pisha të buta, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke rrezikuar zonën përreth.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan forcat zjarrfikëse të Vlorës me të gjitha mjetet në dispozicion, të mbështetura nga banorë të zonës, si edhe nga pronarë dhe punonjës të subjekteve pranë pyllit.

Për më shumë se tre orë, ekipet punuan intensivisht për izolimin dhe më pas shuarjen e flakëve, duke arritur të vendosin nën kontroll vatrën kryesore të zjarrit.

Në terren morën pjesë gjithashtu forcat e Policisë së Vlorës, strukturat e Bashkisë dhe efektivë të FNSH-së Fier, të cilët kontribuan në menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë në zonë.

Pavarësisht se vatra kryesore është shuar, zjarrfikësit vijojnë monitorimin në terren, pasi era e fortë mund të favorizojë riaktivizimin e ndonjë vatre të mbetur. Ekipet janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të përhapjes së flakëve.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›