E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koncerti i Kanye West, policia plan masash për kufizimin e qarkullimit

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se ka ndërmarrë një plan masash për kufizimin e qarkullimit në kuadër të koncertit të Kanye West, ditën e shtunë.

Policia bëri me dije se në kuadër të aktivitetit muzikor “YE” që do të zhvillohet më datë 11.07.2026, në Kashar, qytetarët se do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve, si më poshtë:

Nga ora 07:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës Durrës–Tiranë, nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Sqarojmë se ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje, për subjektet;

Nga ora 07:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në korsinë e daljes së autostradës “Durrës–Tiranë”, në rrethrrotullimin e “Casa Italia”-s;

Nga ora 12:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “”Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho””;

Nga ora 12:00 deri në orën 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori””, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.

Gjithashtu, sipas policisë nga Ura e Institutit deri tek “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit të automjeteve, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit.

Gjatë intervaleve të mësipërme, akses në zonat e kufizuara do të kenë vetëm mjetet e Emergjencës dhe mjetet e Policisë së Shtetit.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe fton drejtuesit e mjeteve të planifikojnë lëvizjen e tyre, duke përdorur akse alternative dhe duke zbatuar udhëzimet e shërbimeve të Policisë.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›