PDK pranon ftesën e LVV, takimi të premten

PRISHTINË, 9 korrik /ATSH/ Pas ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje për partitë parlamentare në funksion të krijimit të institucioneve të reja, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se PDK-ja është e gatshme të zhvillojë takimin të premten në orën 09:00, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Pas mbledhjes mbi dyorëshe të kryesisë së PDK-së, Hamza tha se duke pasur parasysh kompleksitetin e situatës politike, takimet për formimin e institucioneve duhet të zhvillohen me seriozitet dhe përgjegjësi.
“Datat e propozuara ka qenë sot, ora 17:00, dhe janë datat nesër në ora 8:00, në ora 9:00, ose ora 18:00. Sigurisht se unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë institucionale, nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se me folë për pozitat, e kam thënë dhe e ripërsëris, është tepër e rëndësishme prioritetet. Vizioni për të ardhmen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës t’i ketë një numër të caktuar të ministrive, ta ketë një kryetar të Kuvendit, apo presidentin, apo çfarëdo qoftë…. Unë ia ktheva shkresën, që Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme me u takuar nesër në ora 9:00, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai. /KosovaPress/