Konferenca e Kryetarëve nuk gjen dakortësi për komisionet hetimore të kërkuara nga PD

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakortësinë për kërkesat e propozuara nga Partia Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore.
Në mbledhjen e zhvilluar sot Konferenca e Kryetarëve, nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, diskutoi dy kërkesat e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare.
Kërkesa e parë ishte ajo “për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”.
Kërkesa e dytë lidhej me “ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 maj 2025”.
Pas diskutimeve, për dy çështjet në fjalë nuk u arrit dakordësia me tekstin aktual dhe do t’i kalojnë seancës plenare të 30 Tetorit me tekst të ripunuar.
Pika e tretë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës të një grupi deputetësh të opozitës “Për zhvillim të mocionit me debat”.
Në lidhje me këtë çështje u vendos që të rishikohen propozimet që u bënë në Konferencën e Kryetarëve, që mocioni të kthehet në interpelancë urgjente dhe u caktua një afat 30 ditor për të vendosur qëndrimin në raport me mocionin dhe më pas do t’i kalojë seancës plenare.
Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj, teksa iu drejtua mazhorancës, tha se “mazhoranca është duke zvogëluar liritë dhe hapësirat e opozitës”.
Blushi: Nuk pranojmë riformulimin e kërkesës së opozitës për zhvillimin e një mocioni me debat
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se në Konferencën e sotme të Kryetarëve, kundërshtoi atë që e cilësoi si “shkelje e përsëritur të rregullores dhe procedurës nga Kryetari i Kuvendit”.
Blushi gjithashtu u shpreh se kundërshtoi atë që e cilësoi si “tentativë apo kurth”, në të cilin kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla kërkoi, sipas tij, të fuste opozitën duke propozuar një marrëveshje ekstrapolitike për të rikthyer normalitetin në seancë.
“Një marrëveshje okulte, e cila nuk bazohej as në rregulloren e Kuvendit dhe as në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Një propozim sipas të cilit, kryetarët e grupeve parlamentare duhej të bien dakord, përtej rregullores, përtej Kushtetutës, për të rikthyer normalitetin në seancë”, tha Blushi.
“Një propozim sa antikushtetues dhe që shkon në frymën e shkallmimit të parlamentarizmit për sa kohë Rregullorja dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë janë të vetmet dokumente që rregullojnë jetën parlamentare”, theksoi ai.
Blushi u shpreh se në mbledhje kundërshtoi gjithashtu nevojën e riformulimit të kërkesave të opozitës për zhvillimin e një mocioni me debat për trajtimin e të sëmurëve me kancer në spitalin Onkologjik.
Blushi u shpreh se, u refuzua propozimi i të gjithë grupeve parlamentare të opozitës lidhur me hetimin nga Kuvendi i Shqipërisë, të veprimtarisë së ish-zyrtarit të FBI-së, Charls McGonigal.
Gjithashtu Blushi bëri të ditur se kundërshtoi edhe propozimin e mazhorancës për riformulimin e kërkesës së opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Blushi nënvizoi se, Partia e Lirisë dhe grupi i saj parlamentar është i vendosur që këto kërkesa të mos ndryshojnë, sepse lidhen drejtpërsëdrejti me të drejtat më bazike që duhet të garantojë qeveria shqiptare ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
/m.q/gj.m/a.f//r.e/