Konfirmohet në Korçë rasti i parë me virusin e Nilit Perëndimor për këtë vit

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, njoftoi sot se është konfirmuar rasti i parë me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në Shqipëri për vitin 2026.
Sipas njoftimit të MSHMS-së, gjatë monitorimit sistematik dhe intensiv të infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në vend, vetëm gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht u evidentua rasti i parë për vitin 2026, në qarkun e Korçës.
“Që nga fillimi i muajit janar 2026, janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga WNV, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i evidentuar, përbën rastin e parë të konfirmuar në Shqipëri për vitin 2026”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
MSHMS-së theksoi se Instituti i Shëndetit Publik po vijon survejancën epidemiologjike në njerëz, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit të konfirmuar dhe monitorimin e situatës.
Në Shqipëri, sipas MSHMS-së infeksioni nga WNV është dokumentuar edhe më parë.
“Në vitin 2024 janë raportuar 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 janë raportuar 2 raste të konfirmuara”, njoftoi MSHMS.
/m.q/j.p/r.e/